Propozimi për pagën minimale prej 500 eurosh prej janarit të vitit të ardhshëm, nga diskutimi që u bë në Ministrinë e Financave në një takim të mbyllur me përfaqësues të sektorit publik dhe privat, ka rezultuar me pajtim nga ana e sindikatës, por jo nga komuniteti i biznesit.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike nuk kanë marrë pjesë në këtë takim, ndërsa kanë thënë se pajtimi për pagë minimale duhet të bëhet nga Qeveria e re.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave ende nuk është deklaruar pas takimit.
Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka njoftuar se në takimin e thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk është marrë asnjë vendim rreth nivelit të pagës minimale. “Takimi ka qenë konsultues dhe palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet e tyre dhe propozimet rreth kësaj çështje. DhTIK nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por ka kërkuar që një vendim i tillë duhet të merret vetëm atëherë kur Kosova të ketë institucione funksionale dhe fuqiplota, të bëhet një analizë e thelluar e gjendjes ekonomike, dhe propozimi për pagën minimale të vijë përmes Këshillit Ekonomiko-Social, e jo përmes Ministrisë së Financave. Marrja e vendimit ad-hoc vetëm sa do të vështirësoj situatën ekonomike dhe ku më të dëmtuarit do të jenë qytetarët”, njofton Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.

 
         
         
         
         
        

 
        


