Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila pas mbledhjes së Kryesisë foli në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Kosova deri tash nuk ka pasur një situatë të tillë të ngjashme dhe në këto rrethana, sipas saj, Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësinë në raport me situatën. Ajo tha se është e papranueshme që punëtorët e RTK-së të mbeten pa paga, kur një gjë e tillë do të mund të anashkalohej me një kontribut të vogël të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Së pari është buxheti për RTK-në, për ne është e papranueshme që punëtorët e RTK-së të mbesin pa paga. Me një kontribut të vogël të deputetëve të Kuvendit kjo çështje do të mund të anashkalohet, gjegjësisht të adresohej në mënyrë të përgjegjshme. Së dyti sa i përket buxhetit për tri komunat, Prishtina Gjilani e Zubin Potoku dhe së treti Buxheti i Republikës për vitin 2026”, tha Haxhiu.
Ajo ka rikujtuar se buxheti mund të shfrytëzohet vetëm deri në shkurt të vitit të ardhshëm, madje tha nëse vendi ballafaqohet me proces të jashtëzakonshëm zgjedhor, as për to nuk do të ketë buxhet, pa u votuar tjetri.
“Nëse nuk ka një buxhet tjetër të miratuar nuk mund të ketë shfrytëzim të buxhetit më shumë se shkurti i vitit të ardhëm, e nëse ne do të përballemi me rrethanat e zgjedhjeve edhe në vitin tjetër nuk do të kemi as buxhet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin e ardhshëm kur ne ta zëmë nuk mund të biem dakord për emrin e presidentit apo presidentes. Në vend të përplasjeve politike unë sot pashë kapriço politike, pashë qasje destruktive nga ana e nënkryetareve të tjerë të Kuvendit, në vend se me situatën aktuale të ishin të gjithë të unifikuar dhe të shihnim cila është mënyra më e mirë për ta adresuar, gjithnjë duke pasur parasysh që ne nuk kemi pasur një situatë të cilën mund ta marrim si praktikë në të kaluarën”, tha Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë.
Nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje tha se e kuptojnë që asnjëherë në të kaluarën nuk janë themeluar trupat e Kuvendit pa pasur votim qeverie. “Sepse rendi i gjërave e do që të konstituhet Kuvendi e pastaj të votohet qeveria, por në rrethanën kur nuk është votuar qeveria dhe ne ende nuk e dimë se si do të jetë veprimi i presidentes, sepse atë do ta shohim nesër në takimin e thirrur nga presidentja, pra të paktën sot është dashur të ketë vullnet të dëshmuar politik për t’i tejkaluar këto çështje. Nuk është buxhet i Albin Kurtit as i Vetëvendosjes”, deklaroi tutje Haxhiu derisa bëri thirrje përballë partive tjera parlamentare të hqin dorë, nga, siç e quajti ajo, inati,sepse tha se bëhet fjalë për interesin e qytetarëve.
Ajo tha se sot nuk inponuan seancë, sepse këtë mund ta bënin me 4 nënshkrime të nënkryetarit e të tre nënkryetarëve, por tha se janë për unifikim në situatën aktuale.
Nuk ka dashur të tregojë se cili do të jetë qëndrimi i Vetëvendosjes nesër në takim te presidentja.
“Nesër ne do të jemi në takimin e thirrur nga presidentja Osmani e do t’i themi qëndrimet tona në raport ne situatën aktuale. Gjithçka në kohën e vetë. Nesër do ta japim qëndrimin e LVV-së .Ajo se çfarë dihet tashmë është se Presidentja mund të shpallë zgjedhjet, por edhe mund t’ia jap mandatarin dikujt nga partitë politike. Megjithatë qëndrimin në raport me këtë do ta japim nesër, sepse nesër do të jemi të pranishëm në këtë takim”, tha Haxhiu.
Zyrtarja e lartë e LVV-së tha se Kurti vetëm përkohësisht nuk është votuar për kryeministër, por tha se do të ketë qeveri “Kurti 3”.
“Qeveria Kurti nuk është votuar, por nuk është votuar vetëm përkohësisht, sepse ajo do të bëhet, natyrisht që do të ketë qeveri “Kurti 3” deklaroi Haxhiu.
Ka treguar se nuk përkrahin qeveri teknike.
“Nuk e përkrahim një qeveri teknike. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë vendosur, qytetarët e kanë votuar Albin Kurtin si personin më të votuar në Republikën e Kosovës. Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dhënë mbështetje maksimale. Nëse nuk do të ketë numra, vendi duhet o të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme ndonëse ju e dini që ne nuk e kemi dëshiruar këtë, por rrethanat politike na imponojnë”, ka deklaruar para gazetarëve Haxhiu

 
         
         
         
         
        

 
        


