Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e tretë të 2025-ës.
Përmes një komunikate për medie ASK njofton se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
“Në TM3 2025, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për (9.9%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për(3,0%),krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për8.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, thuhet në fund të komunikatës.




