Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka pritur në takim Arqipeshkv Vincenzo Paglia, këshilltar papnor dhe president i Akademisë Papnore për Jetën, figurë e njohur dhe me ndikim në Vatikan, i cili për vite me radhë ka qenë një nga zërat kryesorë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe të drejtësisë.
Përmes një postimi në rrjetet OVL e UÇK-së bën të ditur se gjatë takimit u zhvillua një dialog i hapur e miqësor mbi rëndësinë e së vërtetës historike, kujtesës kolektive dhe respektit për sakrificën e atyre që kanë luftuar për liri
“U theksua domosdoshmëria që çdo proces drejtësie të mbështetet në parimet e barazisë, humanizmit dhe dinjitetit njerëzor. Arqipeshkv Paglia shprehu mirëkuptim dhe vlerësim për përpjekjet e komunitetit të luftëtarëve të lirisë në ruajtjen e së vërtetës dhe në promovimin e paqes përmes kujtesës dhe dialogut”, thuhet në postim.
Tutje, OVL e UÇK-së shpreh mirënjohje për mikpritjen dhe përkushtimin e tij, “duke besuar se ky takim do të shërbejë si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për drejtësi, të vërtetë dhe dinjitet njerëzor”.




