Platforma për verifikimin e fakteve ‘Hibrid.Info’, ka publikuar raportin e saj mbi monitorimin e zgjedhjeve lokale dhe ndikimin që keqinformimi pati në procesin zgjedhor. Raporti i cili mbulon periudhën 13 shtator-15 tetor 2025, analizon përhapjen e lajmeve të rreme, publikimin e sondazheve, rolin e medieve sociale si dhe influencën e narrativave gjatë fushatës zgjedhore.
Lajmet e rreme dhe fenomeni i publikimit të sondazheve të paverifikuara kanë shoqëruar edhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kjo u bë e ditur gjatë publikimit të raportit mbi monitorimin e rundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe ndikimin e keqinformimit në procesin zgjedhor, nga platforma për verifikimin e fakteve Hibrid.Info’. Hulumtuesi Festim Rizanaj tha se raporti ka analizuar rreth 100 burime të ndryshme informimi.
“Ky është një hulumtim mbi keqinformimin, ku kemi monitoruar periudhën para zgjedhore nga 13 shtatori deri më 15 tetor. Burimet e analizuara përfshijnë mediat sociale, llogari të ndryshme si dhe media në gjuhën serbe dhe ruse. Në total janë analizuar rreth 100 burime të ndryshme për të identifikuar rastet e keqinformimit. Përmbajtjet e analizuara janë ndare si më poshtë sipas gjuhës/burimit: Publikues në shqip: 37 përmbajtje. Zyrtarë dhe mediat serbe: 20 përmbajtje. Mediat ruse: 74 përmbajtje ku ne mesin e tyre ka pasur narrative dhe teori konspirative të caktuara. Gjithsej 131 përmbajtje janë analizuar”, tha Rizanaj.
Sipas këtij raporti, kategoria dominuese e keqinformimit ishte ajo e lajmeve të rreme, që përbënin 81% të rasteve.
“Kategoria dominuese e keqinformimit ishte ajo e lajmeve të rreme, që përbënin 81% të rasteve. Një fenomen i përsëritur këtë vit kanë qenë edhe sondazhet e rreme, me gjithsej 28 publikime të tilla, ku 89% e tyre janë shpërndarë në rrjete sociale”, tha Fatbardh Dema, kontrollues i fakteve.
Sipas raportit, zgjedhjet në Kosovë nuk u portretizuan nga mediat serbe dhe ruse si proces demokratik lokal. Kurse, edhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje paraqitet si shprehje e besnikërisë ndaj Beogradit dhe presidentit Vuçiq. Raporti mbulon periudhën nga 13 shtatori deri më 15 tetor 2025 të rundit të parë të zgjedhjeve

        
        
        
        
        
        

