Lidhja Demokratike e Kosovës në Suharekë, hapi fushatën për zgjedhjet lokale të balotazhit të së dielës, me një takim me qytetarët e kësaj komune. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se Suhareka duhet të kthehet në shtëpinë e vjetër tradicionale.

“Është e qartë që qytetarët e Suharekës kanë nevojë për ndryshim, rrjedhimisht shumica e tyre e kanë kërkuar këtë ndryshim, sot ju bie barra e madhe që për këto pesë, gjashtë ditë të mbetura të fushatës e deri të dielën, për më pak se një javë, të angazhoheni të gjithë derë me derë, familje për familje, lagje më lagje, fshat e në qytet këtu në Suharekë, që të ktheni këtë qytet në folenë e vet ideologjike, Suhareka është e djathtë, Suhareka është me LDK-në”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku shprehu bindjen se në zgjedhjet e 9 nëntorit, do të triumfojë kandidati i partisë që ai drejton.

“Ne si LDK jemi të bindur për fitoren e madhe që po vjen këtu, e kemi me plot prioritet Suharekën në këtë garë, presim nga ju që të dielën të na ftoni në një festë të madhe në këtë qytet. Kjo festë të mos jetë vetëm për ju, por për qytetin tuaj i cili ka nevojë për punë”, shtoi ai.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, shpreson në fitoren e kësaj partie. Ai tha se me të në krye të komunës, qytetari do të jetë në qendër të vëmendjes.

“Do ti kthejmë punët e mira në Suharekë, punë me nder, punë ku qytetari do të jetë ai që do të jetë në qendër të qeverisjes së ardhshme. Do të punojmë shumë për qytetarët për ti dhënë projekte të mira, projekte të mira në bujqësi, në infrastrukturë, në zhvillim e punësim”, tha Shala.

Duke sqaruar se deri më tani nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për koalicion, Shala tha se koalicionin e vetëm e ka me qytetarin.

“Ne jemi të hapur për të gjithë, s’kemi ndonjë marrëveshje, jemi duke bashkëpunuar me qytetarët pa dallim partie, sepse, ne do të udhëheqim me komunën dhe këtu jemi pa dallime do të thotë kjo është e ardhmja e qytetit”, shtoi Shala.

Ardian Shala nga LDK, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të nëntë nëntorit, do të përballet me votë me kundërkandidatin nga AAK-ja.