Është nënshkruar sot Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar ndërmjet Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK) dhe Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje, që synon forcimin e lidhjeve sindikale dhe zhvillimin profesional të punonjësve të policisë në të dy vendet.
Marrëveshja u firmos nga kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, dhe presidentja e Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje, Anita Arzenšek, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të barabartë ndërmjet dy organizatave.
Sipas njoftimit të SPK-së, kjo marrëveshje shënon një moment historik për sindikalizmin policor në Kosovë, duke e vendosur organizatën në një rol më të fuqishëm brenda rrjetit evropian të sindikatave të policisë.
“Ky bashkëpunim ka për qëllim forcimin e solidaritetit sindikal ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, organizimin e aktiviteteve profesionale, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta për përfaqësuesit sindikalë dhe punonjësit e policies, zhvillimin e projekteve sociale, kulturore, sportive dhe edukative që kontribuojnë në mirëqenien e punonjësve, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe sindikal në nivel evropian”, thuhet në njoftim.
Gjatë vizitës zyrtare në Pejë, përfaqësuesit e të dy sindikatave zhvilluan takime profesionale, vizituan institucione kulturore dhe diskutuan planet e aktiviteteve të përbashkëta për vitin e ardhshëm, të cilat do të thellojnë më tej bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
SPK thekson se kjo marrëveshje është dëshmi e qartë e rëndësisë së bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërkombëtar në mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe profesionalizmit të punonjësve të policisë.





