Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të dhunës në familje të ndodhura në ditët e fundit nëpër komuna të ndryshme të vendit.
Një qytetar kosovar në Graqanicë ka raportuar në polici se kishte pasur një mosmarrëveshje verbale me babanë e tij. Pas intervistimit të të dy palëve, me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë një grua kosovare dhe vajza e saj e mitur kanë qenë viktima të dhunës nga bashkëshorti i saj. Viktimave u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është në kërkim dhe ende nuk është siguruar prezenca e tij.
Në një rast tjeter në Prishtinë, Policia ka arrestuar një burrë, pasi dyshohet se i ka dërguar mesazhe kërcënuese ish-bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse në Malishevë gjatë një vizite mjekësore, tek një grua kosovare janë vërejtur disa hematoma të lehta. Viktima ka refuzuar të deklarohet për ndonjë problem, duke pohuar se nuk ka telashe me askënd. Megjithatë, me urdhër të prokurorit, është iniciuar një lëndë e cila procedohet në procedurë të rregullt.
Në Gjakovë një burrë kosovar është arrestuar pasi, nën ndikimin e alkoolit, i ka shkaktuar dhunë psikike bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq në Skenderaj një burrë është arrestuar pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje verbale. Gjatë kontrollit, policia ka konfiskuar një pistoletë me 5 fishekë, me të cilën viktima ka deklaruar se ishte kërcënuar nga i dyshuari vite më parë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.




