Është bërë përurimi i rrugës Qafë Duhël, Topillë, Grajqevc, Papaz, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor me gjatësi mbi 8 kilometra dhe me një kosto mbi 1 milion euro, i cili është financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe realizuar në bashkëpunim me Komunën e Shtimes.
Sipas njoftimit nga Komuna e Shtimes, i pranishëm në këtë përurim ishte edhe kryetari i kësaj komune Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast, kryetari Aliu, shprehu mirënjohje për mbështetjen institucionale që mundësoi realizimin e këtij projekti.
“Jemi mbledhur këtu me një rast gëzimi dhe feste, me rastin e përurimit të rrugës mbi 8 kilometra, me një kosto mbi 1 milion euro, një rrugë që lidh fshatin Topillë me Petrovën dhe me gjithë Komunën e Shtimes. Kjo është një rrugë që është pritur gjatë nga banorët, sidomos pas luftës. Kemi pritur 8 vite dhe e kemi përfunduar për 8 muaj. Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Infrastrukturës për bashkëpunimin në ndërtimin e kësaj rruge, e cila do t’i lidhë të gjithë fshatrat e Malësisë dhe do të nxisë zhvillimin e bizneseve, agroturizmit dhe blegtorisë në këtë zonë”, tha kryetari Aliu.
Ndërsa, Musli Haziri, përfaqësues i lagjeve të fshatit Topillë, shprehu mirënjohjen e banorëve për përmbushjen e një ëndrre të kahmotshme.
“Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar një moment të rëndësishëm për fshatin tonë. Rruga ka qenë një ëndërr dhe nevojë e kahmotshme për secilin prej nesh. Tashmë ajo është përfunduar dhe gati për t’u shfrytëzuar nga të gjithë banorët dhe brezat që do të vijnë pas nesh”, tha Musli Haziri.
Përfundimi i kësaj rruge pritet të përmirësojë dukshëm lidhjen ndërmjet fshatrave të Malësisë, të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, si dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe turistik në këtë pjesë të Komunës së Shtimes.




