Synimi Lidhjes Demokratike të Kosovës është që Përparim Rama, kandidat për kryetar të Prishtinës, të qeverisë edhe një mandat me kryeqytetin.
Në tubimin përmbyllës elektoral të këtij subjekti politik, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama thanë se pas 9 nëntorit, do të vazhdojnë punët e mira për kryeqytetin.
Abdixhiku deklaroi se Rama ka realizuar projekte të rëndësishme, duke nisur nga mësimi tërë ditor në shkolla, rruga A, e unaza e brendshme e qytetit.
“Bashkë me Përparim Ramën sollëm shkolla, sollëm mësim tërëditor, modelin më të suksesshëm arsimor në vend. Hapëm rrugën A dhe unazën e brendshme të qytetit. Ne krijuam sheshe moderne, parqe të reja. Ne e kthyem Prishtinën në qytetin e ideve, të artit e të energjisë rinore. Nën vizionin e një ekipi që e donë qytetin e jo pushtetin, Prishtina doli faqebardhë e punoi fortë. Përparim Rama është njeriu i punëve konkrete, i planit të qartë”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së, u shpreh i bindur se qytetarët më 9 nëntor, do të zgjedhin LDK-në për t’i qeverisur.
“Ne e kemi kthyer qytetin në rrugë te drejte e tani duhet ta vulosim këtë me votë. Më 9 nëntor do të jetë dita e Prishtinës dhe Republikës në rrugën e vet dhe origjinale. Jam i bindur se këtë herë Prishtina e ka bërë zgjedhjen e qartë”, shtoi ai.
Ndërsa, Përparim Rama deklaroi se nuk e ka ndërmend të ndalet për ta bërë Prishtinë qytet me vision dhe për të realizuar projektet që sipas tij, do t’i japin pamje të re kryeqytetit.
“Mi keni parë punët e fjalët. Të gjitha i kemi dëshmuar. Tani ka mbet veç një gjë – vota. Kam dalë para secilit, lagje për lagje, fshat për fshat e ju kam folur me zemër. Ju kam treguar se çdo vizion është projekt real. Unë nuk e kam ndërmend me u ndal sepse dashuria për qytetin nuk ndalet. Kur e do vendin, punon edhe kur të pengojnë. Tani i njoh mirë problemet dhe i di edhe zgjidhjet. Prishtina mundet, dinë dhe e meriton. A po e bëjmë një marrëveshje së bashku? Të dielën mos rrini në shtëpi, dilni e votoni për t’ia dhënë qytetit fuqinë e vetme që e ka, votën e bashkuar. Vetëm kur votojmë bashkë jemi të pathyeshëm”, theksoi Rama.
Duke e cilësuar vetën si kryetar të projekteve të mëdha, ai tha se qytetarët duhet të dalin e të votojnë për të, në mënyrë që kryeqyteti të zhvillohet.
“Unë jam kryetar i projekteve të mëdha. Unë jam ai që nuk e njeh fjalën ‘nuk bëhet’. Unë pengesat i kthej në hapa drejt suksesit. Gjërat duhet me i bërë me vizion e dije. Nëse Prishtina jonë ka me ec përpara varet nga ju. Nëse duam qytet modern, duhet mendësi moderne”, deklaroi Rama.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës ka për kundërkandidat atë të LVV-së.




