Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka votuar në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Ai tha se sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe komunat dhe se procesi zgjedhor vendos drejtimin për katër vitet e ardhshme.
“Pas një procesi shumë të mirë që patëm në raundin e parë, sot në të gjitha komunat ku ka raund të dytë të balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve, i ftoj qytetarët të dalin dhe të marrin pjesë, pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë. Secili prej tyre mund të luajë një rol të rëndësishëm për të dhënë drejtimin e komunave ku jetojnë në katër vitet e ardhshme,” tha Krasniqi.
Krasniqi, ka thënë se shpreson që në raundin e dytë të balotazhit të ketë një dalje masive dhe substanciale të qytetarëve, që të reflektojë vullnetin e tyre.
“Me shpresën që do të kemi një dalje masive dhe substanciale, që vërtetë do të reflektojë vullnetin e qytetarëve, uroj që edhe ky proces të shkojë me rregull sikurse rundi i parë. Ditë e mirë për Kosovën, për komunat dhe besoj që përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim katër viteve të ardhshme,” tha ai.




