Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, pasi ushtroi të drejtën e tij të votës, uroi që kandidati më i merituar të fitojë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si një detyrë qytetare të rëndësishme.
“Më parë isha me Kristalen dhe fëmijët për të treguar respekt për ushtarët britanikë që kanë dhënë jetën për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë në kryeqytet dhe në gjithë Kosovën. Uroj të gjithë qytetarët për pjekurinë dhe maturinë që kanë treguar në këto zgjedhje. Uroj që më i miri të fitojë, të fitojë zhvillimi, progresi dhe një ardhmëri e ndritshme për kryeqytetin dhe vendin tonë,” ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se këto zgjedhje janë të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e kryeqytetit, por edhe për të ardhmen e gjithë vendit. “Është shumë e rëndësishme që qytetarët të votojnë kahjen e duhur për vendin tonë,” shtoi ai.




