Ajo ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës së Jugut që i dhanë votë kandidatit të përbashkët të koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, Faton Peci, i cili doli i pari në raundin e dytë dje.

“Si bashkëkryetar i GUXO-s, Faton Peci ka dëshmuar me kohë se besimi qytetar fitohet me punë konkrete dhe me qëndrueshmëri dhe rezultati i zgjedhjeve lokale 2025 e vulos këtë fakt me forcën e votës qytetare”, ka shkruar Gërvalla.

Tutje, Gërvalla tha se për partinë Guxo, ky proces zgjedhor është një hap i madh përpara.

“Ne po ndërtojmë një subjekt modern, të përgjegjshëm dhe të bazuar në parime të qarta: reformë, drejtësi, barazi dhe qytetarin në qendër. Rrugëtimi ynë vazhdon me vendosmëri e vizion të qartë dhe energjia që kemi marrë nga ky proces na jep forcë të dyfishuar për zgjedhjet që vijnë dhe për ndërtimin e një skene politike më të hapur e më demokratike”,ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se besimin e marrë do ta përkthejnë në vendime të guximshme.

“Në mbrojtje të interesit publik, në politikë të ndershme që nuk i nënshtrohet shantazhit, pazareve e as kompromiseve me të keqen”,ka shkruar Gërvalla.