Zëvendësministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim ambasadorin e ri jo-rezident të Bangladeshit në Kosovë, Muhammad Zulqar Nain.
Numri dy i diplomacisë kosovare ka shprehur gatishmërinë për avancimin marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në diplomacinë ekonomike.
“ Zëvendësministri Ahmeti i uroi Ambasadorit Nain mirëseardhje dhe suksese në detyrën e tij të re, duke shprehur gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të forcuar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, veçanërisht në diplomacinë ekonomike dhe zhvillimin e kontakteve ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dyja vendeve”, thotë MPJD-ja.
Gjithashtu kanë bërë të ditur se gjatë ëktij takimi është biseduar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, duke nënvizuar rëndësinë e inkurajimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
“Palët biseduan gjithashtu për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në nivel diplomatik dhe institucional, si dhe për përgatitjet në vijim lidhur me mbajtjen e konsultimeve të dyta politike ndërmjet Kosovës dhe Bangladeshit, të cilat pritet të zhvillohen në Prishtinë në fund të vitit 2025”, ka bërë të ditur MPJD-ja.




