Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, me inicialet B.B. dhe B.K., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në periudhën 22 maj 2018 deri më 22 tetor 2018, në Suharekë, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë B.B. si menaxher i kontratës dhe B.K. si mbikëqyrës i projektit për “Ndërtimin dhe renovimin e objekteve sportive dhe kulturore”, kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare gjatë zbatimit të projektit.
Hetimet e Prokurorisë tregojnë se, pa miratimin e zyrtarit kryesor administrative, kryetarit të Komunës së Suharekës, të pandehurit kanë ndryshuar paramasat dhe parallogaritë e punimeve, duke bërë modifikime të paautorizuara në disa poligone sportive në fshatrat Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë.
“Në vend të rrethojave të plasifikuara metalike, ata kanë vendosur rrethoja të zinkuara, ndërsa në fshatin Buzhalë, në vend të fushës sportive me beton, kanë bërë shtrim me bar natyror, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në shumën prej 6,839.42 euro, dhe duke mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik në të njëjtën shumë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.




