Në njoftimin nga Policia e Kosovës thuhet se “Indeksi Global i Krimit të Organizuar është një tregues që mat dhe rendit vendet bazuar në përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e tyre ndaj krimit, po ashtu vlerëson edhe aktivitetet kriminale të tilla si trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore dhe krimi kibernetik, së bashku me aftësinë e një vendi për të luftuar këto kërcënime përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Sipas rezultateve të këtij indeksi për vitin 2025, i cili mat 15 tregje kriminale, 5 lloje akterësh kriminalë dhe 12 blloqe të qëndrueshmërisë, të publikuar nga Global Initiative Against Transnational Organized Crime, Kosova vlerësohet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor, me një mesatare prej 4.85 pikësh në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 10.

“Një kontribuues kyç dhe i veçantë në arritjen e këtyre rezultateve pozitive është Policia e Kosovës me lidershipin dhe zyrtarët e saj, e cila përmes planeve zhvillimore strategjike dhe objektivave të veçanta në luftimin e të gjitha formave të krimit, ka rritur të ketë rezultate të theksuara ndër vite, e që e bëjnë Kosovën si vendi me nivelin më të ulët të krimit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

 

 

Po ashtu, sipas raportit të Transport Community, i publikuar me 12 nëntor 2025, me të dhënat e vitit 2024, thuhet se Kosova ka arritur rezultate pozitive edhe në sigurinë rrugore, duke pasur numrin më të ulët të viktimave për një milion banor në aksidente fatale, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

 

 

“Policia e Kosovës, përmes zbatimit të planeve operacionale, fushatave sensibilizuese e aktiviteteve të ndryshme policore, edhe në fushën e trafikut,  ka arritur rezultatet më të mira krahas vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës thekson se  mbetet e përkushtuar në rritjen e mëtejme të sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale në nivel vendi.