Derisa kanë mbetur edhe pak ditë për mandatarin e dytë, Glauk Konjufca ta propozojë para deputetëve të Kuvendit qeverinë e re, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se as Konjufca nuk do t’i ketë votat për t’u bërë kryeministër i vendit.
“Nuk kemi asnjë informacion deri tani që është kontaktuar ndonjë nga anëtarët e grupit tanë në këtë rast. Çka po shohim ne këto ditë është krejtësisht qasja e njëjtë si me mandatarin e parë. Mandatari i parë nuk ka pasur as tendencë e as interesim për t’i krijuar institucionet. Njëjtë po ndodhë edhe me mandatarin e dytë. Ne po shkojmë drejt fundit të kohës që i është dhënë për të krijuar institucionet e vendit, por pa asnjë komunikim publik. Kjo na bën të kuptojmë se do të shkojmë deri në ditën e fundit dhe pastaj do të bëhet një shou politik në Kuvendin e Kosovës. Nuk do të ketë vota, sepse ato nuk janë, dhe pastaj do të vendosim ditën e zgjedhjeve”, deklaroi deputeti i LDK-së, Alban Zogaj.
Sipas tij, 28 dhjetori nuk do të ishte datë e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, për shkak të festave të fundvitit, ai thotë se mund të jetë problematik organizimi më i mirë i tyre derisa shtoi se mund të ketë edhe mungesë të vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Është ditë e datë kur njerëzit bëhen gati për festat e fundvitit dhe e kanë mendjen te festat e fundvitit e jo te zgjedhjet. E kemi problematike edhe me i organizuar zgjedhjet në mënyrën më të mirë të mundshme edhe me e ruajtur votën gjatë numërimit, sepse i bie në kohën e festave të vitit të ri, e aq më tepër që mund të kemi mungesë të vëzhguesve ndërkombëtarë që vijnë e vëzhgojnë zgjedhjet tona. Nuk është datë ideale, por nëse afatet kushtetuese thonë një gjë të tillë, LDK është e gatshme”, deklaroi Zogaj.
Këto deklarime i bëri gjatë një konference për media ku bashkë me bashkëpartiakun e tij, Berat Rukiqi dolën për të folur rreth aktakuzës që ditë më parë ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës për ministren në detyrë,Rozeta Hajdari dhe të tjerë për rezervat shtetërore.
E quajtën rast të rëndë korruptiv që, sipas tyre, prekë sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional.
“Rezervat shtetërore janë elementi kryesor i përfshirjes së shtetit në sigurinë tonë, është pjesë e sigurisë kombëtare. Një shtet që nuk ka rezerva shtetërore e ka të cenuar sigurinë kombëtare. Dhe çka ka bërë kjo qeveri, komplet zinxhirin dhe sistemin e rezervave shtetërore e ka transferuar tek një person privat. Kemi dështim të plotë të zinxhirit institucional e me këtë rast edhe cenim të sigurisë kombëtare”, tha Rukiqi.
Ai tha se kryeministri në detyrë do të duhej të ishte si i akuzuar në këtë rast.
“Kryeministi ka ikur poshtë e lartë nuk është paraqitur si dëshmitar. Këtu në aktakuzë figuron si dëshmitar, do të duhej të ishte si i akuzuar sipas vlerësimit tonë, sepse ka përgjegjësi penale e politike në këtë rast”, deklaroi ai.




