Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste kriminale gjatë 24 orshit të fundit në qytete të ndryshme të vendit, të cilat kanë rezultuar me arrestime, konfiskime armësh, lëndësh narkotike dhe pajisjesh të ndryshme.
Sipas njoftimit, në Prishtinë janë arrestuar katër persona, tre shtetas kosovarë dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut, të dyshuar për përfshirje në posedim të paautorizuar të narkotikëve, hyrje në sisteme kompjuterike, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit në një banesë policia ka gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me 28 fishekë, disa llaptopë, 41.2 gramë substancë të dyshuar marihuanë dhe dy telefona celularë. Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit njëri është dërguar në mbajtje ndërsa tre të tjerët janë liruar, ndërkohë që rasti mbetet nën hetime. Gjatë kontrollit të trupit të një femre kosovare policia ka gjetur 0.7 gramë marihuanë. Ajo është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Në Gllogoc, policia ka ndërhyrë pas informacioneve se një person ishte sulmuar fizikisht nga një i dyshuar kosovar që dyshohej se mbante armë. Pas identifikimit të tij dhe në konsultim me prokurorin, është bastisur shtëpia e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar 16 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
Edhe në Deçan, policia ka arrestuar tre meshkuj kosovarë pasi gjatë kontrollit të trupit dhe veturës së tyre janë gjetur dy pistoleta, pesë fishekë, dy thika, një shufër metali, një sprej, një grinder për bluarjen e narkotikëve, tri qese me marihuanë (peshë e pamatur), një palë dorëza dhe një emblemë metali. Me vendim të prokurorit, të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkohë në Gjakovë, policia ka arrestuar një person pasi gjatë kontrollit të shtëpisë së tij janë gjetur dhe konfiskuar nëntë qese me substancë të dyshuar marihuanë me peshë të përgjithshme 15.46 gramë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për të gjitha rastet janë në proces.




