Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se marrëdhënia e Kosovës me Belgjikën bazohet në demokraci, në fatin e përbashkët evropian dhe në besimin se paqja dhe drejtësia duhet të mbizotërojnë gjithmonë.
Gjatë fjalimit në pritjen e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, me rastin e shënimit të festës së Ditës së Mbretit, tha se Belgjika qëndroi pranë Kosovës në momente kritike.
“Që nga kohët e rezistencës paqësore kundër shtypjes në vitet e ’90-ta, deri te lufta për çlirim dhe pavarësim në vitet 1998-1999, që i dha fund viteve të vuajtjeve. Edhe më pas, Belgjika vazhdoi të mbështeste rindërtimin, zhvillimin dhe shtetësinë e Kosovës”, u shpreh ai.
Kreu në detyrë iu qeverisë tutje ka thënë se Belgjika ishte ndër të parat që artikuloi themelin ligjor dhe moral të ndërhyrjes humanitare të Perëndimit në Kosovë dhe ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovë në vitin 2008. “Dhe që atëherë, ka qenë një mbështetëse parimore dhe e vazhdueshme e sovranitetit dhe integrimit tonë euroatlantik”, ka deklaruar Kurti.
Shefi në detyrë i qeverisë vlerëson se marrëdhëniet me Blegjiken janë më të forta se kurrë.
“Vendimi i Belgjikës për të avancuar praninë e saj diplomatike në Prishtinë në një Ambasadë të plotë në tetor 2023 dhe akreditimi i pritur i Atasheut të Mbrojtjes së Kosovës në Bruksel, shënojnë arritje të reja në partneritetin tonë. Gjithashtu, mirëpresim rikthimin e Belgjikës këtë vit si kontribuese në KFOR. Është një gjest, që riafirmon angazhimin e hershëm të Belgjikës për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Ai tha se bashkë pop punojnë për të thelluar bashkëpunimin, nga mundësitë tregtare dhe ekonomike deri te arsimi, drejtësia dhe siguria.
“Modeli belg i qeverisjes së mirë dhe pluralizmit vazhdon të na frymëzojë, ndërsa ndërtojmë një Kosovë demokratike, të drejtë dhe të begatë”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj Belgjikës për angazhimin e saj brenda NATO-s dhe BE-së dhe për solidaritetin e popullit të saj, përfshirë diasporën kosovare atje.
“Teksa Belgjika feston këtë Ditë të Mbretit, ne festojmë me ju – vlerat e lirisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor, të cilat na bashkojnë. Uroj që partneriteti ynë të vazhdojë të rritet, i udhëhequr nga të njëjtat ideale, që Belgjika i ka mishëruar prej kohësh: liria, dhembshuria dhe një angazhim i thellë për të ardhmen e përbashkët të Evropës”, është shprehur në fund të fjalës së tij, Kurti.




