Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prix Zagreb 2025 në kategorinë deri 52 kilogramë.
Xhudistja kosovare ka dominuar të gjitha luftërat dhe është shpallur kampione të premten në kryeqytetin kroat.
Në finale, Krasniqi është përballur me hungarezen Reka Pupp, rivale e njohur prej vitesh. Distria e ka kontrolluar duelin që nga sekonda e parë dhe pas dy minutash e njëzet e gjashtë sekondash e ka realizuar aksion për Ippon, duke e siguruar medaljen e artë.
Distria e ka nisur garën direkt nga raundi i dytë, ku vetëm pas njëzet e dy sekondash e ka mposhtur brazilianen Amanda Lima me Ippon. Në çerekfinale ajo ka triumfuar për dy minuta e pesëmbëdhjetë sekonda ndaj francezes Blandine Pont, ndërsa në gjysmëfinale e ka mposhtur italianen Gaia Stella për dy minuta e tre sekonda, të gjitha fitore të qarta dhe të shpejta me Ippon.




