Në procesin gjyqësor në Hagë tashmë kanë dëshmuar 6 dëshmitarë të mbrojtjes, të cilët janë ftuar për t`i kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë. Secili nga ta ka pasur një rol gjatë kohës së luftës në Kosovë, dikush diplomatik e dikush ushtarak.
Avokati i akredituar, Artan Qerkini, ka theksuar se dëshmitarët e mbrojtjes kanë treguar se UÇK-ja nuk ka pasur nivelin e organizimit që të mundësonte kontroll efektiv të terrenit, parakusht ky për përgjegjësinë komanduese. Të hënën në gjykatë do të dëshmojë vetë ish-komandanti i NATO-s, Wesley CLark.
Kundër pretendimeve të Prokurorisë në procesin gjyqësor në rastin kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në Speciale, tashmë ka përfunduar dëshmia e gjashtë dëshmitarëve të ftuar nga mbrojtja.
Mbrojtja nisi me dëshminë e James Rubin, krahu i djathtë i ish-sekretares së Shtetit Amerikan, Madeleine Albright. Në gjykatë, Rubin deklaroi se në Rambuje, Thaçi i kishte treguar se kishte vetëm rol politik dhe jo udhëheqës; ai ishte thjesht pasqyra e një lëvizjeje që dëshironte pavarësi.
Paul Williams, juristi amerikan që këshilloi Kosovën në Rambuje, në dëshminë e tij theksoi se UÇK-ja ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo e ndërtuar mbi rregulla.
John Duncan, këshilltar politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, duke folur për UÇK-në, nënvizoi se ajo kishte përbërje heterogjene dhe se përfshinte persona të ndryshëm, përfshirë edhe gra, disa prej të cilave ishin të mbijetuara të dhunës seksuale.
James Peter Covey, zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së, Bernard Kushner, deklaroi se as vetë nuk kishte dokumentuar krimet që pretendohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së.
Ndërsa diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, rrëfeu se UÇK-ja ishte forca shtytëse për pavarësinë dhe se ai nuk kishte njohuri për strukturat e saj të brendshme.
Ish-këshilltari politik i gjeneralit Wesley Clark, Michael Durkee, tha se nuk dinin se cilat ishin kapacitetet ushtarake të UÇK-së, por kishin kuptuar se ajo synonte pavarësinë.
Nga këndvështrimi i Artan Qerkinit, avokat i akredituar në Hagë, dëshmitarët e mbrojtjes kanë vënë në dukje se UÇK-ja nuk ka pasur një nivel organizimi që të mundësonte kontroll efektiv të terrenit, parakusht ky për të dënuar dikë për përgjegjësi komanduese.
“Për më shumë të gjithë dëshmitarët kanë treguar se UCK-ja ka pasur një strukturë komanduese por jo të atij niveli që mundëson kontrollin efektiv të terrenit , sepse në mes të territoreve që përkohësisht janë kontrolluar nga UCK-ja kanë qenë forcat serbe dfhe kjo e ka pamundësuar kontrollimin e njësiteve të UCK-së , prandaj edhe shtabi i përgjithshëm nuk ka pasur mundësi efektive të ushtroj kontrollin e vet në terren , njëri prej parakushteve për përgjegjësi komanduese është kontrolli efektiv”, tha Qerkini.
Besueshmëria e dëshmitarëve të mbrojtjes buron nga pozitat dhe niveli i përfshirjes së tyre në proceset që lidhen me zhvillimet në Kosovë, duke e bërë dëshminë e tyre të rëndësishme për gjykatën. Mes tyre ka edhe persona me përvojë ushtarake, të cilët mund të sqarojnë nivelin e organizimit të UÇK-së dhe përshtatshmërinë e saj për kontrollin efektiv të terrenit. Nëse nuk vërtetohet dhënia e komandave efektive në terren, nuk mund të konstatohet përgjegjësia komanduese.
“Në mesin e tyre ka pasur edhe ushtarak të cilët janë në gjendje të tregojnë se çfarë niveli të organizimit ka pasur UÇK-ja dhe se ai nivel a është i përshtatshëm për të kontaktuar kontrollin e efektiv në terren…. nëse nuk vërtetohet dhënia e komandave efektive në terren nuk mund të konstatohet përgjegjësia komanduese”, shtoi Qerkini.
Pasi edhe mbrojta të ketë përfunduar me dëshmitarët, avokati Qerkini nënvizon se gjykata ka të drejtë të ftojë dëshmitarë, por preferohet që trupi gjykues të mos përfshihet drejtpërdrejt në marrjen e provave, për të ruajtur paanshmërinë. Shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë, siç vlerëson avokati, do të bëhet brenda tre deri gjashtë muajsh.




