Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po vazhdon fushatën vetëdijësuese për diabetin, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje. Dita Botërore e Diabetit, e cila shënohet çdo vit më 14 nëntor, thekson rëndësinë e veprimit të përbashkët në mbrojtje të shëndetit ndaj kësaj sëmundjeje, që prek miliona njerëz në mbarë botën.
Zymryte Maqastena, ka 27 vjet që vuan nga diabeti i tipit 2. Tash e disa vite ajo merr trajtim në Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK. Me gjithë sfidat me të cilat po përballet, ajo thotë se trajtimi i kujdesshëm nga stafi mjekësor po ia lehtëson gjendjen.
“22 vite i kam vetëm me insulinë. Jam paciente e rregullt. Jam e kënaqur me shërbimet. Nganjëherë barnat nuk kanë shumë rëndësi, por ajo gjuha dhe afërsia shpirtërore e stafit”, tha ajo.
Ajo është njëra nga mijëra pacientët që marrin trajtim në këtë klinikë.
“Në Klinikë diku 87% i kemi me diabet të tipit dy, 11% me diabet një dhe 1.6 me gestacional.Diku 16 mijë pacientë i kemi brenda vitit. I kemi 32 shtretër në Klinikë dhe kapaciteti i tyre varijon gjatë vitit…”, tha Merita Emini-Sadiku, drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë.
Sëmundja e diabeti melit është sëmundje kronike që karakterizohet me rritje të sheqerit në gjak. Disa nga simptomat më të shpeshta konsiderohen etja e shtuar, tharja e gojës dhe shikimi i mjegulluar.




