Tre djem të rinj dhe dy vajza në të njëzetat vdiqën në një aksident të tmerrshëm me makinë që ndodhi të shtunën në mbrëmje në Qarkun Louth, Irlandë, njoftoi policia irlandeze, raporton Sky News .
Tragjedia ndodhi pak pas orës 21:00 në Gibstown, Dundalk, kur një Volkswagen Golf, në të cilin po udhëtonin pesë miq për një dalje natën, u përplas me një Toyota Land Cruiser. Të pesë personat që ndodheshin në Golf vdiqën në vendngjarje. Viktimat u identifikuan si Chloe McGee (23) dhe Shay Duffy (21), Alan McCluskey (23), Dylan Commins (23) dhe Chloe Hipson (21), të gjithë nga Skocia.
Një burrë tjetër, gjithashtu në të 20-at, i cili ishte në Golf, u nxor nga automjeti dhe u dërgua në spital me lëndime të rënda, por jo kërcënuese për jetën. Shoferi dhe një pasagjere femër nga Toyota Land Cruiser u shtruan gjithashtu në spital, por me lëndime të lehta.
Oficeri i policisë Charlie Armstrong tha se hetimi ishte duke vazhduar dhe vlerësoi profesionalizmin e shërbimeve të emergjencës që ndërhynë në kushte jashtëzakonisht të vështira.
“Skena ishte shumë e vështirë, në kushte të këqija atmosferike, dhe profesionalizmi i treguar nga të gjitha shërbimet e emergjencës dhe kujdesi e respekti i treguar ndaj pesë të ndjerëve ishin shembullore”, tha Armstrong.
Reagimet nga qeveria irlandeze
Kryeministri irlandez Michael Martin tha se ishte “i tronditur dhe i shtangur” nga lajmi, ndërsa zëvendësi i tij Simon Harris tha se “një vello trishtimi e thellë ka rënë mbi vendin”.
“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet dhe miqtë e këtyre të rinjve, si dhe me ata që u plagosën. Gjithashtu mendojmë për shërbimet tona të emergjencës, të cilat punuan kaq profesionalisht në rrethana vërtet shkatërruese”, tha Kryeministri Martin.
Policia po kërkon dëshmitarë.
Mbikëqyrësi Armstrong i ka bërë një thirrje publikut për ndihmë në hetim.
“U bëj thirrje çdo personi që ka qenë në rrugën L3168 midis orës 20:30 dhe 21:15, mbrëmë të shtunën, më 15 nëntor 2025, të paraqitet pranë ekipit hetimor të Gardës”, tha ai.
“I bëj thirrje çdo personi që mund të ketë pamje filmike ose imazhe nga rruga L3168, zona e Gibstown, midis orës 20:30 dhe 21:15 të mbrëmjes së kaluar, t’ia dorëzojë ato pamje filmike ose imazhe ekipit të hetimit në Stacionin e Gardës Dundalk”, shtoi Armstrong.
Rruga L3168 mbeti e mbyllur ndërsa oficerët e mjekësisë ligjore kryen një hetim dhe trafiku u devijua nëpërmjet rrugëve të tërthorta.




