Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kryetari Përparim e ka shumë lehtë ta zgjidhë çështjen e buxhetit të kryeqytetit. nëse, siç u shpreh ai, ia kërkon kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
“Përparim Rama e ka shumë të lehtë që ta bëjë zgjidhjen për buxhetin e Komunës së Prishtinës – le t’i kërkojë Lumir Abdixhikut që ta votojnë në Kuvend, dhe buxheti i Prishtinës bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit 2025. Kaq e thjeshtë është”. ka shktuar ai në Facebook.
Sipas tij, tensionet dhe rivalitetet e brendshme brenda LDK-së po ndikojnë drejtpërdrejt në mospërparimin e procesit.Ai përmendi edhe zërat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut dhe idenë që Përparim Rama të marrë drejtimin e partisë, duke thënë se kjo atmosferë e brendshme mund të jetë arsyeja e qëndrimit të deputetëve të LDK-së.
“Por siç duket, shtimi i zërave se tash edhe Lumir Abdixhiku duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij në krye të LDK-së duhet të vijë Përparim Rama, ka filluar të prodhojë efektet e para në LDK. Ndryshe nuk ka se si spjegohet qëndrimi kategorik i grupit parlamentar të LDK-së për të mos e miratuar Buxhetin 2025 për Komunën e Prishtinës, kur tashmë janë me miliona euro fatura të papaguara që janë mbledhur në mungesë të buxhetit të miratuar, dhe ka mbetur pak më shumë se 1 muaj deri në fund të vitit fiskal. Shumë keq që për shkak të rivalitetit të brendshëm në LDK, po e pësojnë qytetarët e Prishtinës” , shkroi ai ndër të tjera.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar sot se ka dorëzuar kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e buxhetit të kryeqytetit.
Rama pretendon se përgjegjës për bllokimin e buxhetit është Ministria e Financave, për çka shprehet se ‘ky është veprim i paprecedentë duke ka vënë në rrezik funksionimin e shërbimeve bazë për qytetarët e Prishtinës nga pastërtia, siguria sociale, mirëmbajtja e infrastrukturës, e deri te pagesat për punëtorët dhe kontraktuesit’.
“Prandaj jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur, ligjin, pavarësinë institucionale të komunave, të drejtat e qytetarëve tanë dhe vetë funksionimin e Kryeqytetit. Në një kohë kur Prishtinës i duhen zgjidhje, jo pengesa, presim vendimmarrje të shpejtë e të drejtë që t’i hapë rrugë zbatimit të ligjit dhe rikthimit të stabilitetit financiar”, ka shkruar Rama.




