Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë pas thirrjes së dy seancave për nesër. Kjo parti thotë se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet për disa komuna e për RTK-në.

 

Përmes një komunikate per media, Lidhja Demokratike e Kosovës akuzon Vetëvendosjen se po vepron “në mënyrë të papërgjegjshme”, duke tentuar të shfrytëzojë institucionet e vendit për “lojëra politike”.

“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propaganda”, thuhet në njoftim.

LDK thekson se çështje si marrëveshjet ndërkombëtare, kreditë, borxhet dhe projektligjet buxhetore kërkojnë proces serioz dhe konsultime, prandaj nuk do të marrë pjesë në  siç thonë ata “improvizime që shpërfillin rregulloren”.

Partia njofton se do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, pasi të pranojë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, duke theksuar se vepron në përputhje me vlerat dhe bindjet e saj.

“LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”, thuhet në fund të reagimit.