Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul. Në takim eshtë diskutuar edhe raporti mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Kurti ka deklaruar se kanë kaluar mbi dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe udhëheqësi i grupit terrorist Milan Radoiçiq ende nuk i është dorëzuar autoriteteve të Kosovës.
“Kryeministri nënvizoi faktin se edhe më shumë se dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, udhëheqësi i këtij grupi terrorist dhe paramilitar, Millan Radoiçiq, vazhdon të endet i lirë në Serbi dhe Beogradi zyrtar refuzon t’ia dorëzojë atë dhe grupin e tij Republikës së Kosovës, përkundër fakteve për përfshirjen e tij në sulm dhe aktakuzës së prokurorisë së Kosovës ndaj tij, ndërkohë që ai dhe grupi i tij vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit”, është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti ka thënë se Kosova është e vendosur dhe e përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale me Gjermaninë.
“Kryeministri u shpreh se Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar të punojë bashkë me Gjermaninë për të thelluar raportet bilaterale dhe për të avancuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Me këtë rast, ai theksoi se Republika e Kosovës meriton që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që Komisioni Evropian duhet ta dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim”, u tha nga Zyra e Kryeministrit.
Ai nënvizoi rritjen e qëndrueshme ekonomike, përmirësimin e sundimit të ligjit dhe progresin në luftën kundër korrupsionit gjatë këtij mandati qeverisës.
“Gjatë këtij mandati qeverisës kemi pasur rritje të qëndrueshme ekonomike, asnjë vit nën 4% të BPV-së, si dhe kemi forcuar demokracinë, përmirësuar sundimin e ligjit dhe kemi shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, siç dëshmohet edhe nga raportet ndërkombëtare, të cilat tregojnë për përmirësim të vazhdueshëm të Kosovës në këto rrafshe”.
Kurti e falënderoi ministrin Wadephul për vizitën e tij, për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe për kontributin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes trupave të saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.



