Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka organizuar sot takimin e përbashkët të grupit punues ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Evropës, i cili ka për qëllim diskutimin mbi mbarëvajtjen e projekteve të mbështetura dhe financuara nga KiE, që janë duke u implementuar nga institucionet e Kosovës.
Takimi u kryesua nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ilir Muçaj dhe drejtori i Koordinimit të Programeve të KiE-së në Strasburg, Claus Neukirch.
“Në fjalën e tij hapëse, sekretari Muçaj falënderoi anëtarët e grupit punues për angazhimin e tyre, si dhe për organizimin e kësaj tryeze shumë të rëndësishme për institucionet e Republikës së Kosovës. Ai theksoi se ky takim dëshmon përkushtimin e ndërsjellë për avancimin e mëtejmë të zbatimit të standardeve evropiane dhe të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, njofton MPJD.
Sipas MPJD-së, sekretari Muçaj theksoi se që nga viti 2013, Këshilli i Evropës ka qenë partner kyç i Republikës së Kosovës në fuqizimin e proceseve demokratike, konsolidimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai vlerësoi kontributin e projekteve të financuara nga KiE, të cilat kanë sjellë rezultate të matshme në forcimin e institucioneve dhe avancimin e standardeve demokratike në vend.
“Është duke u punuar, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me misionin tonë diplomatik në Strasburg, për sigurimin e kontributeve vullnetare nga shtetet anëtare të KiE-së, me qëllim që të mos ndërpritet mbështetja për projektet e rëndësishme demokratike në Kosovë”, tha sekretari Muçaj, theksohet tutje në njoftim.
Derisa ka folur për konsolidimin e institucioneve dhe avancimin e standardeve demokratike në vend, sekretari Muçaj theksoi se, vlerësimet e raportuesve dhe të Asamblesë Parlamentare konfirmojnë se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet ligjore për anëtarësim. Ai shtoi se, pavarësisht sfidave të krijuara nga konteksti gjeopolitik aktual, Kosova mbetet demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të Këshillit të Evropës.
Në mbyllje, sekretari Muçaj shprehu mirënjohjen e MPJD-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar të Këshillit të Evropës në forcimin e kapaciteteve institucionale të Republikës së Kosovës, duke theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e përkushtuar në avancimin e proceseve që e çojnë vendin drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.




