Murati, tutje, përmendi pasojat nëse sot nuk miratohen këto pika të rendit të ditës.

Ai foli edhe për buxhetin e RTK-së, duke theksuar se për alokimin e tij është i domosdoshëm funksionalizimi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Sipas tij, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore apo kushtetuese për miratimin e buxhetit të RTK-së, përveç pengesave politike.

“Nëse kjo nuk ndodh sot, problemi do të stërkeqësohet edhe më shumë. Edhe nëse hyjmë në vitin e ardhshëm pa buxhet, ndonëse për pjesën tjetër të administratës publike vlen Ligji për Financat Publike, që mundëson ndarjen e 1/12 për dy muajt e parë – për janarin dhe shkurtin – tek RTK as kjo nuk mund të zbatohet, sepse nuk do të ketë komision funksional. Në mungesë të Komisionit dhe në mungesë të miratimit të buxhetit të RTK-së, rrezikohet që RTK të mbetet pa financim deri në fillim të marsit. Kjo do të ishte katastrofale për institucionin e RTK-së”, deklaroi Murati.

“Kurse sa i përket buxhetit për tri komunat, janë me miliona euro fatura dhe detyrime të grumbulluara nga këto komuna, që kanë lënë operatorë ekonomikë dhe ndërmarrje publike pa pagesa. Nëse nuk miratohet buxheti për këtë vit dhe nuk lejohet që këto mjete të shpenzohen, atëherë obligimet do të barten në vitin e ardhshëm fiskal dhe do të përfundojnë në përmbarim”, shtoi Murati.