Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se, “për fat të keq, shteti ynë, shoqëria jonë, Republika jonë, prej një kohe po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh vetëm një njeri politik në vend, Albin Kurti”.
Ai shtoi se “për ju të pushtetit, që bërtisni, leximi nuk ka qenë as dëshirë, as qëllim, e duket as obligim. Don Kishoti është një nga personazhet më të famshme të letërsisë botërore, një figurë komplekse, idealiste, tragjike shpeshherë dhe thellësisht komike, pra një figurë tragjikomike”.
“Sikurse Don Kishoti i Servantesit, edhe Albin Kurti i Vetëvendosjes zgjohet çdo ditë, çdo mëngjes, në një botë që e ka krijuar vetë, dhe në atë botë Albin Kurti sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë – kundërshtarë që, sipas tij, duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë”, shtoi ai.
“Pra, të gjithë ju, të gjithë në këtë sallë, në realitetin e Albin Kurtit paskeni si qëllim ta ktheni Serbinë në Kosovë”, tha Abdixhiku.




