Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Berlinit mori pjesë si panelist në debatin e nivelit të lartë “Autoritarizmi në rritje / Rusia – Kërcënimi, rreziku dhe zbutja e tyre”.
Ministri Maqedonci, në kongresin e 24-të të Mbrojtjes dhe Sigurisë Evropiane, në ngjarjen kyçe që mbledh vendimmarrës të lartë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të industrisë së mbrojtjes dhe udhëheqës ushtarakë nga e gjithë Evropa, adresoi sfidat e sigurisë në Evropë, pasojat e politikave autoritare dhe rëndësinë e koordinimit euroatlantik në përballjen me këto rreziqe.
Në këtë konferencë ministri u shoqërua nga drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Ahmet Ajeti, kolonel Bekim Zejnullahu dhe këshilltarin ushtarak Agron Berisha.
Në margjinat e konferencës, ministri zhvilloi edhe takime me personalitete shtetërore dhe përfaqësues të sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë ministrin e shtetit dhe deputetin e Bundestagut gjerman, Florian Hahn, Gjeneralin Ingo Gerhartz – Komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Brunssum, si dhe Princeshën Victoria, trashëgimtare e Kurorës së Mbretërisë së Suedisë.
Gjatë konferencës, ministri Maqedonci përgjatë një takimi të realizuar me ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut, Yuriko Nadia Backes, diskutoi dhe rreth situatës së përgjithshme të sigurisë dhe mundësive për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.




