Me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, organizohet “Dita e Hapur” në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës. Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Salih Ademi, tregoi për kapacitetet e kësaj qendre, kushtet që ofrohen dhe nivelin e sigurisë.
“Qendra ka filluar funksionimin në vitin 2019 dhe ka kushte jashtëzakonisht të mira për personat e privuar nga liria. Vit pas viti bëhet vlerësimi edhe nga organizatat ndërkombëtare, ku çdo herë kemi marrë vlerësime pozitive lidhur me kushtet dhe sigurinë. Qendra ka kapacitet 350 shtretër dhe momentalisht janë rreth 300 të burgosur”, tha ai.
Ndërkaq, drejtoresha e Departamentit për Trajtim të Burgosurve, Trëndelina Qorraj, tregoi për ofrimin e programeve rehabilituese dhe trajtimin e tyre.
“Shërbimi Korrektues, sidomos në këto vite të fundit, ka vënë në fokus jo vetëm aspektin e sigurisë, por edhe zbatimin e dënimit dhe rehabilitimin. Kjo qendër zhvillon programe të ndryshme rehabilituese. Ne kemi rreth 10 programe të tilla, të cilat janë specifike në varësi të personave, dhe kemi interesim të madh që ata të jenë pjesë e këtyre programeve. Përveç programeve rehabilituese, kemi edhe programe pune dhe aftësim profesional, të cilat i ndihmojnë në riintegrim dhe njihen edhe ndërkombëtarisht”, tha ajo.
Gjatë kësaj dite, vizitorët do të kenë mundësinë të vizitojnë ambientet e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, ku do të njihen nga afër me punën e Qendrës së Vlerësimit të të Burgosurve, si dhe të informohen për rutinat ditore të të paraburgosurve, nga pranimi deri te lirimi.
Me këtë rast, vizitorët u shprehën të kënaqur me kushtet që ofrohen në këtë qendër.
“Është mundësi shumë e mirë për ne që të na lejohet t’i shohim kushtet nga afër. Nga ajo që pamë, kushtet ishin shumë të mira, po ashtu edhe higjiena”, u shpreh Uran Azemi.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.
Gjithashtu, gjatë kësaj dite do të vizitohet edhe një nga dhomat e paraburgimit. Pas Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, do të vizitohen Qendra Edukuese Korrektuese për të Mitur dhe Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan.
Në mbrëmje do të ketë edhe një aktivitet sportiv, ku do të zhvillohet ndeshja miqësore në futboll mes Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë, e cila do të mbahet në Stadiumin e Qytetit të Lipjanit “Sami Kelmendi”.
Ceremonia kryesore për 26-vjetorin e themelimit të Shërbimit Korrektues do të mbahet ditën e premte, më 21 nëntor 2025.




