Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, UNICEF-i në Kosovë shënoi 30 vite partneriteti dhe përparimi për fëmijët dhe të rinjtë. Ngjarja u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, fëmijëve dhe të rinjve, duke reflektuar mbi tre dekada arritjesh dhe ndikimi pozitiv për jetën e fëmijëve në Kosovë.
Në një komunikatë për medie, UNICEF-i njofton se që nga viti 1995 ka mbështetur projekte të rëndësishme për fëmijët në Kosovë, duke përfshirë: rindërtimin e 140 shkollave dhe rikthimin në klasë të 100,000 fëmijëve, zhdukjen e poliomielitit për të gjitha komunat, mbështetjen për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, etj.
Veronika Vashchenko, shefe e ‘UNICEF Kosova’, theksoi rëndësinë e veprimit të vazhdueshëm, ndërsa bota përballet me kriza të shumta.
“Ky përvjetor është një nderim për çdo fëmijë, të ri, prind, mësues, infermiere, punonjës social dhe partner që ka çuar përpara misionin e UNICEF-it. Ndërsa bota përballet me kriza të shumta, angazhimi ynë duhet të jetë më i fortë se kurrë. Çdo fëmijë meriton të mbijetojë, të mësojë dhe të zhvillohet”, thuhet në komunikatë.
Gjatë ngjarjes, UNICEF-i ndau histori inspiruese nga fëmijë, të rinj dhe familje nga e gjithë Kosova, që kanë përfituar nga programet e zhvillimit të hershëm, edukimi gjithëpërfshirës, vizitat në shtëpi dhe iniciativat për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.
Megjithatë, raporti i ri global i UNICEF-it nxjerr një realitet shqetësues: mbi 400 milionë fëmijë në botë jetojnë në varfëri dhe privime të nevojave thelbësore si ushqimi, higjiena dhe arsimi. Konfliktet, ndryshimet klimatike dhe ulja e investimeve në shërbimet kryesore po rrisin rrezikun për fëmijët globalisht.
UNICEF-i bën thirrje për investime të qëndrueshme për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe për të siguruar që gjenerata e ardhshme në Kosovë dhe në botë të rritet e sigurt, e shëndetshme dhe e mbështetur.




