Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo ka bërë çfarë ka mundur sa i përket përpjekjeve për zgjidhje të krizës buxhetore për RTK-në, por se i ka takuar Kuvendit të Kosovës të zgjidhë këtë çështje. Osmani tha se shpreson që vendi shpejt të ketë një kuvend të ri dhe i cili ditën që do të konstituohej do të votonte edhe buxhetin e RTK-së.
“Është për keqardhje, megjithatë janë çështje që janë vendime të Kuvendit të Kosovës. Unë shpresoj që sa më parë të kemi një Kuvend të ri, i cili në seancën e parë, paradite konstituohet e pasdite do ta miratojë buxhetin e Republikës së Kosovës e edhe komisionet përkatëse në mënyrë që menjëherë të fillojnë pagesat për RTK-në. Mirëpo se çfarë qëndrime kanë pasur secila prej partive politike, ju ato i keni publike, i dini qëndrimet e partive dhe ju mund ta nxirrni konkluzionin tuaj”, deklaroi Osmani, e pyetur nëse do të ketë një zgjidhje për mbi 700 punëtorët e RTK-së që kanë mbetur pa paga.
Ajo tha se menjëherë pas kërkesës së Sindikatës së RTK-së, i ka dërguar kërkesë deputeteve te Kuvendit, që menjëherë ta formojnë Komisionin për Buxhet. “Sipas analizave tona ligjore ka qenë mënyra e vetme dhe më lehta për t’u siguruar që buxheti për RTK-në të mund të shfrytëzohet. Fatkeqësisht ju e patë edhe dje, përkundër faktit që kjo kërkesë e imja u vendos në agjendën e seancës së Kuvendit, as nuk u trajtua për shkak të mungesës së kuorumit”, tha ajo.
Osmani tha se për gjëra totalisht të parëndësishme ka dështuar themelimi i komisioneve në Kuvend.
“Si presidente kam bërë gjithçka që ka qenë në mandatin tim, unë nuk jam Kuvendi i Republikës, Kosova funksionon sipas Kushtetutës bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe është detyrë e Kuvendit dhe vetëm e Kuvendit të themelojë komisionet parlamentare. Dhe unë mendoj që për gjëra totalisht të parëndësishme ka dështuar edhe themelimi i komisioneve, sepse ato komisione kanë pasur të mbajnë një mbledhje. Kështu çfarë rëndësie ka kush e mbanë një mbledhje, përderisa kanë pasur mundësi ta kryejnë edhe punën e RTK-së edhe marrëveshjet ndërkombëtare edhe zgjatjet buxhetore. Nuk ka pasur vullnet politik”, tha ajo.




