Në deklaratën e tij, Kurti e ka cilësuar ditën e zgjedhjeve si “festë të demokracisë”, e cila sipas tij bëhet edhe më domethënëse kur qytetarët me të drejtë vote marrin pjesë masivisht.

Ai theksoi se institucionet duhet të kenë kohën e mjaftueshme për përgatitjet teknike dhe organizative, në mënyrë që procesi të zhvillohet në mënyrë “të rregullt, të drejtë dhe demokratike”.

“E mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”, deklaroi Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme vijnë pas shpërndarjes së Kuvendit nga presidentja Osmani, pas dështimit të dy mandateve për formimin e Qeverisë.