Qenë nuhatës e pajisje profesionale nga Amerika, thotë Dogana e Kosovës se janë përdorur për të zbuluar 120 kilogramë substancë narkotike që u gjetën e konfiskuan në një autobus në rajonin e Prishtinës.
Dogana e ka konsideruar këtë si arritje të jashtëzakonshme duke treguar se fillimisht njësitë kontrabandë kishin ndalur autobusin në autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë.
Kanë thënë se mjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.
“Gjatë kontrollit, përfshirë përdorimin e qenve nuhatës – të dhuruar nga organizata gjermane GIZ – si dhe pajisjeve profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së ShBA-së, është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis. Ky zbulim përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të mbrojtur shoqërinë dhe për të parandaluar trafikun e substancave të ndaluara. Ai vjen vetëm pak javë pas një rasti tjetër të përmasave të ngjashme, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”, thotë Dogana e Kosovës.
Kanë bërë të ditur se rasti i sotëm i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale.
“Doganat e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke rritur bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.




