Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur mbledhjen e parë me kryesinë e partisë, pas zgjedhjes së tij në këtë pozitë.
Kreu i PDK-së Bedri Hamza në një konferencë për media pas kësaj mbledhjeje, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike, u shpreh se PDK është gati për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe do të dalë fituese.
Ai ka theksuar se janë të bashkuar, të organizuar dhe me vizion të qartë për Kosovën për t’ia kthyer normalitetin, stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve.
“Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje dhe ikje nga përgjegjësia. Jemi të bindur dhe besojmë thellë se bashkë me qytetarët, ne do ta hapim një kapitull të ri për vendin”, ka thënë ai.
Hamza, ka thënë se beson që kjo parti do të jetë unike edhe në Drenas.
“Edhe në të kaluarën kam deklaru se në Drenas, në mënyrë masive votojnë për PDK-në. Në zgjedhje lokale gjithmonë ka pasë gara, por kur janë zgjedhjet qendrore, PDK do të jetë unike, e bashkuar dhe për këtë jam i sigurt. Sigurisht se do ta maksimalizojmë votën në Drenas, ku është një prej bastioneve tona. Të gjitha këto tema diskutohen edhe në kryesi. E kam bë publike që jam taku me zotin Lladrovci. Ai vetë është deklaruar se ‘jam PDK’, prandaj pjesa dërrmuese e qytetarëve të Drenasit janë PDK”, ka deklaruar Hamza.
Hamza tha se ‘nuk ka vendim që Lladrovci është përjashtuar nga partia’.
Hamza ka njoftuar se Kryesia e PDK-së ka marrë vendime kyçe organizative për mobilizimin në çdo komunë, në çdo lagje, me çdo strukturë.
“Ne kemi një platformë të qartë qeverisëse për ekonomi të zhvilluar, stabilitet politik, dialog të përgjegjshëm, sundim të ligjit, investime kapitale dhe integrim euroatlantik. E kemi nisur formimin e ekipit, shtabit zgjedhor dhe përgatitjet për një listë dinjitoze e përfaqësuese të kandidatëve për deputetë. PDK do ta zhvillojë një fushatë të qetë, programore dhe të fokusuar te nevojat e qytetarëve. Ashtu si në fushatat e kaluara, ne do ta shmangim gjuhën e përçarjes dhe do të fokusohemi te rezultatet dhe vizioni ynë për vendin”, ka thënë ai.
Hamza ka thënë se dera e PDK-së është e hapur për të gjithë që duan t’i bashkohen këtij vizioni.
“Si PDK tashmë i kemi nisur diskutimet me të gjitha degët, strukturat dhe aktivistët tanë, si dhe me çdo qytetar që ka vullnet të angazhohet e të na bashkohet për të mirën e Kosovës. Dera jonë është e hapur për të gjithë. Prandaj, ajo që mund t’ju them sot është se PDK-ja po forcohet dhe po rritet”, ka theksuar ai.
Hamza ka theksuar se PDK e mirëpret dhe e vlerëson jashtëzakonisht shumë kontributin e mërgatës në procesin zgjedhor.
“Pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë në zgjedhje është vlerë për demokracinë tonë. PDK është parti e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se ku jetojnë ata”, ka shtuar kreu i PDK-së.
Sa i përket situatës në RTK, Hamza ka deklaruar se nëse ka vullnet, ka mundësi të zgjidhet edhe kjo çështje.
“Ka mundësi edhe ligjore për pagat në RTK, nëse kanë vullnet”, ka theksuar ai.




