Linja e transportit urban 3A në Prishtinë, nga dje ka pezulluar përkohësisht qarkullimin e autobusëve, për shkak të krizës së rënduar financiare që po përballet kompania dhe mungesës së pagesave nga komuna. Kompania ‘Qendra’ që menaxhon këtë linjë, ka njoftuar se punonjësit tash e 7 muaj nuk kanë marrë pagat, ndërkohë që nga e hëna pritet të pezullohen të gjitha linjat e trafikut urban.
Edhe “Trafiku Urban” ka njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikohen të pezullohen plotësisht nga java e ardhshme, për shkaqe financiare. Problemet me pagesën e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasojë e mosmiratimit të buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2025.
“Ne kërkojmë me urgjencë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga ministria e financave që të reflektojë që ta zbatojë ligjin dhe të alokojë buxhetin e Komunës së Prishtinës që janë 35 milion euro, prej tyre 25 milion te hyra vetanake të qytetarëve dhe 10 milion grant buxhetor”, tha Shkëmb Manaj, nënkryetar i Prishtinës.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur që Komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokimi i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor.
Murati ka nënvizuar se, buxhetin që do duhej të shpenzohet në dhjetor, ta kenë mundësinë ta shpenzojnë më herët në muajin nëntor, me qëllim që të paguajnë disa prej faturave që janë grumbulluar, përfshirë edhe ato të energjisë elektrike.
Ndonëse kjo nuk zgjidh problemin, marrë parasysh gjendjen, thesari do të bëjë këtë alokim të parakohshëm, në mënyrë që të paguhen një pjesë e faturave, ka shkruar Murati.
E në gjithë këtë kaos, pos punonjësve janë edhe qytetarët ata që do të përballen me pasoja.
“Jam prej atyre të cilët realitivisht përdori trafikun urban, sepse më tepër eci për shkak të hapave mjekësore, por jam i bindur se të gjithë ata të cilët janë shfrytëzues të rregullt, të cilët janë në moshë, të cilët nuk mundën me ecë dhe nuk kanë makinë, nuk kanë mjete për taxi etj.”, tha një qytetar.
Problemet me pagesën e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasoj e mosmiratimit të buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2025. Në gjendje të njëjtë janë edhe komuna e Gjilanit dhe ajo e Zubin Potokut.




