Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në Konferencën Ndërkombëtare mbi Integrimin Ekonomik Evropian (CEEI) 2025, në panelin e guvernatorëve me temë “E ardhmja financiare e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore: Financimi i rritjes dhe inovacionit”, e organizuar nga Banka Kombëtare e Austrisë (OeNB) në Vjenë.
Në komunikatën e BQK-së bëhet me dije se konferenca adresoi zhvillimet kryesore në tregjet e kapitalit të BE-së dhe perspektivat për integrimin në një treg të përbashkët kapitali, procesin e digjitalizimit të sistemit financiar, zhvillimet rreth kripto-aseteve dhe parasë digjitale, inovacionin financiar si dhe rreziqet e lidhura me stabilitetin financiar.
Gjithashtu thuhet se Ismaili kontribuoi në panelin e guvernatorëve me temë “Zhvillimi aktual i tregjeve të kapitalit, bashkëpunimi ndërkufitar, digjitalizimi dhe ndikimet në stabilitetin financiar”, nën udhëheqjen e z. Martin Kocher, Guvernator i Bankës së Austrisë (Oesterreichische Nationalbank), së bashku me guvernatorë nga vende të ndryshme evropiane.
Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili paraqiti zhvillimet më të fundit në sistemin financiar të Kosovës, duke theksuar progresin e rëndësishëm në ngritjen e themeleve për zhvillimin e tregut të kapitalit dhe zgjerimin e qasjes në financa, avancimin e digjitalizimit, modernizimin e sistemit të pagesave, forcimin e integritetit financiar dhe të stabilitetit të sistemit financiar. Ai theksoi se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të një infrastrukture funksionale dhe të qëndrueshme të tregut të kapitalit përmes inicimit të legjislacionit të ri dhe përgatitjeve për zhvillimin e infrastrukturës teknike përkatëse.
“Guvernatori i BQK-së foli gjithashtu për transformimin digjital të sistemit financiar gjatë viteve të fundit, duke përfshirë përgatitjet për anëtarësim në SEPA, zbatimin e pagesave të menjëhershme (TIPS Clone), rritjen signifikante të përdorimit të kanaleve digjitale dhe shërbimeve të e-banking, zgjerimin e tregut të ofruesve të shërbimeve të pagesave, si dhe finalizimin e rregullores për licencimin e operatorëve të kripto-aseteve. Ai nënvizoi se digjitalizimi po rrit përfshirjen financiare, po lehtëson qasjen në financa për qytetarët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, dhe po rrit efikasitetin në tregun financiar, ndërsa paralelisht po fuqizohen edukimi financiar dhe mbrojtja e konsumatorit”, thuhet tutje në njoftimin e BQK-së..
Po ashtu në diskutimin mbi stabilitetin financiar, Ismaili theksoi se Kosova ka një sistem bankar të qëndrueshëm, me nivele të ulëta të kredive joperformuese, likuiditet të lartë dhe kapitalizim të mjaftueshëm, duke u mbështetur në një ekonomi të bazuar kryesisht në financimin bankar. Ai vuri në dukje se euroizimi i ekonomisë, avancimet në infrastrukturën e pagesave, rregulloret mbikëqyrëse dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë kanë krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për investitorët. . Disa prej arritjeve të rëndësishme përfshijnë marrjen e vlerësimit kreditor, kalimin në rolin e donatorit në Bankën Botërore (IDA) dhe largimin nga lista e vendeve fragjile të FMN-së.
Ai nënvizoi rëndësinë e avancimit të integrimit me Bashkimin Evropian në fushën financiare, përfshirë integrimin në SEPA, harmonizimin rregullativ dhe modernizimin e tregjeve, duke theksuar se një integrim më i thellë financiar me BE-në do të rrisë besimin e investitorëve, do të zgjerojë qasjen në financim afatgjatë dhe do të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike.
“Në përmbyllje, duke falënderuar Bankën Kombëtare të Austrisë për ftesën dhe organizimin, Guvernatori Ismaili ritheksoi angazhimin e BQK-së për modernizimin e sistemit financiar, zhvillimin e tregut të kapitalit, avancimin e inovacionit digjital dhe forcimin e stabilitetit financiar, në funksion të objektivave të integrimit evropian dhe ndërtimit të një sistemi financiar të qëndrueshëm, konkurrues dhe të harmonizuar me standardet ndërkombëtar ”, ka bërë me dije BQK-ja.




