Sipas të dhënave zyrtare, vetëm për pagat e deputetëve nga 15 prilli deri në fund të tetorit janë shpenzuar 1.37 milionë euro, ndërsa 571 mijë euro të tjera kanë shkuar për pagat e asistentëve të tyre politikë.

Gjatë kësaj periudhe, legjislatura e shpërndarë ka mbajtur vetëm një seancë konstituive, dy séance për zgjedhjen e Qeverisë dhe një seancë të jashtëzakonshme. Në asnjërën nga to nuk është miratuar ndonjë vendim.

Megjithëkëtë, deputetët do të marrin pagë edhe për 20 ditët e mbetura të nëntorit, shpenzim që ende nuk figuron në raportin financiar të Kuvendit, raporton RTK.

Ligji për detyrat dhe përgjegjësitë e deputetit parasheh edhe beneficione të tjera. Neni 16 garanton kompensim kalimtar, që do të thotë se secili deputet, nga dita e përfundimit të mandatit, ka të drejtë të marrë pagë bazë prej 1.914 euro për 12 muaj, që i bie, që buxhetit të shtetit, një deputet i kushton 22.968 euro në vit.

Kjo pagë ndalet vetëm nëse ish-deputeti fillon të punojë apo del në pension. Në rast se nuk përfitojnë të hyra të tjera, 120 deputetë sa i ka Kuvendi, buxhetit të shtetit do t`i kushtojnë rreth 3 milionë euro, pa përfshirë asistentët dhe benefitet e tjera.