Dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Francën protestuan sot kundër dhunës ndaj grave. Demonstruesit kërkuan më shumë veprime publike dhe burime për të luftuar dhunën me bazë gjinore.
Në Paris, më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugë. Protestat u organizuan nga kolektivi Greve Feministe (Greva Feministe), i cili përbëhet nga 60 organizata.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet: “Një burrë në Francë vret një grua çdo dy ditë”, “Nëntë nga 10 viktima e njohin përdhunuesin e tyre” dhe shumë të tjera.
«Është viti 2025, a është ende normale të numërohen gratë e vdekura?» tha Sylvaine Grevin, presidente e federatës kombëtare të viktimave të femicideve, e cila humbi motrën e saj në vitin 2017.

Numri i rasteve të vrasjeve të grave është rritur me 11 përqind midis viteve 2023 dhe 2024 (Foto: Reuters)
Qindra protestues u mblodhën në të ftohtë në qytete të tjera anembanë Francës.
Ata gjithashtu bëjnë thirrje për përmirësimin e arsimit dhe financimit për grupet që mbështesin viktimat e dhunës.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të enjten nga MIPROF, organizata qeveritare përgjegjëse për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, numri i rasteve të vrasjeve të grave është rritur me 11 përqind midis viteve 2023 dhe 2024, me 107 gra të vrara nga partnerët ose ish-partnerët e tyre.
Një grua është viktimë e përdhunimit, tentativës për përdhunim ose sulmit seksual çdo dy minuta dhe çdo 23 sekonda e ngacmimit seksual, ekspozimit të pahijshëm ose dërgimit të padëshiruar të përmbajtjes seksuale, sipas MIPROF.
Grupi i të drejtave të grave “Fondacioni i Grave” vlerëson se buxheti minimal vjetor që qeveria duhet të ndajë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale në Francë është 2.6 miliardë euro – që është ekuivalente me 0.5 përqind të buxhetit të shtetit.



