Në një njoftim zyrtar, “Trafiku Urban” thotë se “gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025”.

Ata shprehin keqardhje për pasojat që kjo ndërprerje do t’u shkaktojë qytetarëve dhe sqarojnë se qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet ndaj ndërmarrjes.

Sipas njoftimit, ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar, megjithatë vonesat e Komunës së Prishtinës kanë krijuar një situatë të paqëndrueshme që i ka detyruar të pezullojnë shërbimin.

Ata përsërisin kërkimfaljen ndaj qytetarëve dhe njoftojnë se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.