Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se më 27 nëntor do të organizojë “Ditën e Hapur”, aktivitet që zhvillohet në kuadër të Ditës së Forcës. Ngjarja do të mbahet nga ora 09:00 deri në 14:00 në të gjitha kazermat e FSK-së në vend, ndërsa qytetarët ftohen të marrin pjesë.

 

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, nga ora 09:30, pritet të jenë të pranishëm udhëheqës të lartë shtetërorë, mysafirë dhe ambasadorë të vendeve mike.

FSK bën të ditur se kazermat në Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e interesuar.

Gjatë aktivitetit, vizitorët do të kenë mundësi të shohin nga afër kapacitetet ushtarake të ekspozuara enkas për këtë ditë festive, përfshirë pajisje, mjete dhe njësi të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës.