Dogana e Kosovës njofton se mbrëmë, rreth orës 22:00, gjatë kontrollit të rregullt të një automjeti me targa të huaja, oficerët doganor së bashku me Policinë e Kosovës kanë ushtruar kontroll të detajuar në vijën e dytë pas deklarimit fillestar të shoferit se nuk kishte mallra për të deklaruar.
Në njoftim theksohet se gjatë kontrollit fizik dhe verifikimit me skaner, në automjet janë gjetur tre valixhe të kamufluara me veshje të përdorura, brenda të cilave dyshohej të ketë mallra të padeklaruara. Pas hapjes së bagazhit, është konstatuar se valixhet përmbanin pajisje për ujësjellës dhe sistem të ngrohjes qendrore, të cilat nuk ishin deklaruar.
“Mallrat janë ndalur përkohësisht, ndërsa vlera e tyre dyshohet të tejkalojë 10,000 euro. Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore sipas procedurave në fuqi dhe mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të rregullt”, theksohet në njoftim.




