Në panel morën pjesë Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, udhëheqësi i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, Demë Hasanaj, koordinatorja nacionale për veprat penale kundër dhunës në familje, prokurorja e shtetit Laura Pula, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, kolonel Shaban Shala, koordinatorja e veprave penale kundër dhunës në familje dhe zëvendës-kryeprokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri, si dhe përfaqësuesja e OSCE-së, Yulia Safronova.

Në fjalën hyrëse, kryeprokurorja Vuçetaj theksoi se bashkërendimi ndërinstitucional dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë kanë sjellë përmirësime të dukshme në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke rritur efikasitetin dhe efektivitetin në procedura.

Ajo falënderoi OSCE-në dhe EULEX-in për partneritetin e fuqishëm dhe kontributin e vazhdueshëm në forcimin e sistemit të drejtësisë.

Gjatë tryezës, përballë rreth 40 pjesëmarrësve vendorë dhe ndërkombëtarë, u prezantuan tri video me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për raportimin e rasteve të dhunës dhe orientimin e tyre drejt institucioneve përgjegjëse: Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave.

Po ashtu, koordinatorja e dhunës në familje, zëvendës-kryeprokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri, së bashku me zyrtarë të Prokurorisë Themelore të Pejës dhe mbrojtës të viktimave, shpërndanë broshura informuese. Materialet ofrojnë informacione për të drejtat e palëve në procedurë, si dhe kontaktet e Prokurorisë së Pejës për raportimin e dhunuesve dhe mbrojtjen e viktimave.

Tryeza u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe rritjes së ndërgjegjësimit për mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.