Sipas komunikatës së MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dërguar kërkesë zyrtare te Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale të personit të arrestuar dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit.

Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës ka njoftuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra.

MPJD ka dërguar gjithashtu notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, për të siguruar angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet,” thuhet në komunikatën e MPJD-së.

MPJD rithekson angazhimin e saj të plotë dhe të pandërprerë për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe siguron se opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha zhvillimet.

Ministria i bën thirrje gjithashtu Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se praktikat e tyre vazhdojnë të keqtrajtojnë dhe intimidosin shtetasit e Kosovës, duke cenuar normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.