Shfaqja vjen si një eksplorim i thellë i jetës së aktorit, kufijve të tij emocionalë dhe marrëdhënies së ndërlikuar me personazhin që luan.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Ismet Azemi dhe Labeat Bytyçi, të cilët, përmes një loje të përqendruar dhe të thellë psikologjike, shpalosin një dialog të brendshëm rreth jetës, teatrit dhe së vërtetës artistike. Dy personazhet e dramës lëvizin brenda një hapësire ku arti dhe realiteti takohen e përplasen, duke e vënë në pikëpyetje: A është teatri jetë, apo jeta vetë është teatër?

Shfaqja ndërtohet mbi filozofinë teatrore të Mulliqit, duke përdorur detaje të imta të lëvizjes dhe gjuhës për të krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. Intonacionet, heshtjet, shtrembërimet fizike dhe simbolikat e gjesteve kthehen në mjete që shpalosin procesin e brendshëm të aktorit – një proces që, përmes frikës, dashurisë, fjalës dhe keqkuptimeve, prodhon art që prek emocionet e shikuesit.

“SHOW TIME” prek edhe dimensione metafizike të interpretimit, duke e parë aktorin dhe personazhin si dy forca që i japin jetë njëra-tjetrës. Ndërthurjet mes artit të të dashuruarit, gjuhës së dhënies dhe barrës së të vërtetës skenike krijojnë një hapësirë ku publiku ftohet të reflektojë mbi kuptimin e jetës.

Premiera u prit me interes nga publiku llapjan, duke shënuar një ngjarje të rëndësishme kulturore për Teatrin e Podujevës dhe skenën teatrore vendore.