Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit me inicialet G.B, për dyshimet lidhur me shitblerjen e narkotikëve.
“Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se më datë 08.09.2025 rreth orës 17:55 në fshatin Ponoshec, Komuna e Gjakovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes ka transportuar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që patrulla e policisë kufitare SPMK-Ponoshec, ka ndalur veturën me targa …., të cilin po e drejtonte i pandehuri i cili kishte ardhur nga Republika e Shqipërisë, dhe pas ndaljes se automjetit gjatë komunikimit me shoferin, është ndier një aromë e dyshuar për narkotik, e pasi që i pandehuri përgjigjet se nuk ka asgjë ilegale në automjet, gjatë kontrollit të automjetit nën asistimin edhe të Njësisë K9 brenda në automjet janë gjetur dy qese me narkotik-Marihuanë të fshehura në bagazhin e automjetit në peshë prej 998.7 gram dhe një qese e vogël po ashtu me narkotik-Marihuanë e fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit në peshë prej 1.52 gram e cila sasi e narkotikut është sekuestruar nga zyrtarët policor”, thuhet në njoftimin për media.
Me këto veprime i pandehuri me inicialet G.B., ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 të KPRK-së.




