Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e dytë të Forumit “Zá n’Kujtesë”, i kushtuar helmimeve të nxënësve në Kosovë gjatë viteve 1990–1992.
Ky forum, i organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë në bashkëpunim me MAShTI-n, prezantoi dokumente, fotografi dhe dëshmi që ndriçojnë një nga episodet më të errëta të viteve ’90.
Në fjalën e tij, Kurti kujtoi se helmimet e nxënësve filluan më 21 mars 1989 në Klinë dhe më 6 dhjetor 1989 në Prizren, duke shënuar një periudhë të vështirë për qytetarët dhe shkollat e Kosovës.
Ai theksoi se gjatë viteve 1990–1992, raste helmimesh u shënuan në më shumë se 20 qytete dhe 11 fshatra, duke prekur gjithsej 7,421 nxënës, punëtorë fabrikesh dhe disa fëmijë në çerdhe. Autoritetet serbe tentuan të fshehin këto krime dhe penguan hetimet, përndjekën personat që ofronin ndihmë dhe burgosën studentë të Fakultetit të Mjekësisë.
Kurti nënvizoi rëndësinë e dokumentimit të këtyre krimeve nga institucionet e Kosovës, duke përmendur Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku po krijohet një qendër arkivore dhe audiovizuale për studiues, gazetarë dhe politikbërës.
Ai përfundoi duke theksuar se kujtesa kolektive dhe dokumentimi i krimeve ndihmojnë në parandalimin e përsëritjes së së kaluarës dhe mbrojtjen e shoqërisë nga risitë e fashizmit.



