Editorial nga Vladimir Muçaj
Në qendër të debatit publik të ditëve të fundit qëndron një emër që prej vitesh ka mbajtur mbi supe sektorë kyç të zhvillimit kombëtar: Belinda Balluku. Marrja e saj e pandehur ka ndezur një valë opinionsh, shpesh të pakontrolluara, që në vend të analizës juridike kanë prodhuar një linçim të panevojshëm publik. Por përtej zhurmës mediatike, mbetet thelbësore të kuptojmë se kush është Balluku dhe çfarë përfaqëson në strukturën shtetërore.
Në drejtimin e infrastrukturës dhe energjisë, ajo ka menaxhuar procese që kanë shënuar transformime të prekshme: nga përfundimi i projekteve madhore të transportit kombëtar, tek stabilizimi i sektorit energjetik në momentet më sfiduese për Europën, e deri te ndërtimi i strategjive afatgjata që lidhen drejtpërdrejt me integrimin europian. Reformat e nisura në sistemin e energjisë, investimet e mëdha në rrjetet rrugore dhe portuale, rritja e transparencës në shërbimet publike – janë të gjitha tregues të një pune që ka prodhuar rezultate për qytetarët dhe për shtetin.
Pikërisht për këtë arsye, pezullimi i saj në këtë fazë nuk është thjesht çështje karriere personale. Siç argumenton Këshilli i Ministrave, pezullimi sjell pasoja të rënda për interesin shtetëror dhe shoqëror: një ministri që ka në proces 800 projektakte të lidhura me integrimin europian nuk mund të funksionojë në vakum institucional. Çdo vonesë në këto procese prek direkt standardet që Shqipëria duhet të përmbushë, dhe përkthehet në kosto politike, ekonomike dhe ndërkombëtare.
Nuk mund të injorohet fakti se znj. Balluku, në cilësinë e një anëtareje të qeverisë që gëzon statusin e deputetes, ka qenë një prej zërave më aktivë në harmonizimin e legjislacionit me acquis europian. Largimi i saj i menjëhershëm nga detyra përpara se gjykata të shprehet përfundimisht, krijon një precedent që rrezikon arkitekturën kushtetuese, duke cenuar parimin e proporcionalitetit dhe stabilitetin e administrimit publik.
Në këtë klimë, më shqetësuese se vetë hetimi është mënyra sesi ai po zhvillohet paralelisht në arenën mediatike. “Gjyqi publik” që po i bëhet Ballukut nuk është vetëm padrejtësi ndaj një individi – është dëmtim i procesit të rregullt ligjor. Publikimi i të dhënave të pakonfirmuara, paragjykimet dhe komentet që e paraqesin fajësinë si të kryer, krijojnë presion mbi institucionet dhe e dëmtojnë vetë hetimin. E mbi të gjitha, shkelin një parim që bën dallimin mes demokracisë dhe kaosit: prezumimin e pafajësisë.
Figurat që kanë mbajtur përgjegjësi të nivelit të lartë nuk duhet gjykuar nëpër studio, por në gjykatë. Çdo goditje ndaj tyre pa vendim të formës së prerë është goditje ndaj funksionimit të shtetit. E në rastin e Ballukut, është goditje edhe ndaj proceseve thelbësore për të ardhmen europiane të vendit.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj, e pavarur dhe e pandikuar. Por po aq e rëndësishme është që opinioni publik të mos bjerë pre e zhurmës që synon të zëvendësojë faktet me emocione. Rruga europiane e Shqipërisë, stabilizimi energjetik i vendit dhe vazhdimi i projekteve strategjike nuk mund të mbeten peng i një “gjyqi mediatik” që e deformon realitetin.
Belinda Balluku, me gjithë kontributet dhe përgjegjësitë e saj, meriton të gjykohet mbi bazën e ligjit – jo mbi bazën e paragjykimeve. Dhe vendi meriton që institucionet e tij të mos cënohen nga vendime të nxituara që krijojnë vakum atje ku kërkohet stabilitet. Në këtë moment, është detyrë e shoqërisë dhe e mediave të ruajnë maturinë dhe të mbështesin parimet që e mbajnë shtetin në këmbë. Me te njejatat parime duhet hetuar e gjykuar cdo zyrtar i lartë e jo vetëm pavaresisht postit apo perkstësise politike




