Një robot kinez është futur në Librin e Rekordeve Guinness për ecjen e 100 kilometrave në tre ditë , distanca më e gjatë e përshkuar ndonjëherë në këmbë nga një makinë humanoide.
Me një gjatësi 1.69 metra dhe duke qëndruar mbi dy këmbë, AgiBot A2 u nis nga qyteti i Suzhou-t , në Kinën lindore, mbrëmjen e 10 nëntorit dhe kaloi autostradat dhe rrugët për të mbërritur më 13 nëntor në lagjen historike Bund të Shangait , njoftoi kompania që boton Librin e Rekordeve Guinness.
Kompania AgiBot me seli në Shangai, e cila ndërtoi robotin me dy këmbë, tha se makina “përshkoi një sërë sipërfaqesh… duke respektuar gjithmonë rregullat e trafikut” gjatë ecjes së saj pa ndalesa prej 106,286 metrash , e cila u certifikua të enjten si vepra e parë e këtij lloji.
Videot promovuese tregojnë A2-shin e zi dhe të argjendtë duke ecur ngadalë por në mënyrë të sigurt përgjatë rrugëve për të arritur në Shangai.
Ky robot A2 është projektuar për detyra të tilla si shërbimi ndaj klientit dhe është i pajisur me një funksion “bisede” dhe mund të lexojë buzët.
Investime kolosale në “IA fizike”
Kompanitë globale të teknologjisë po investojnë shuma kolosale në të ashtuquajturën inteligjencë artificiale natyrore , e cila përfshin ligjet e fizikës dhe mund të evoluojë në botën njerëzore. Sipas parashikimeve të Morgan Stanley , deri në vitin 2050 bota mund të ketë më shumë se një miliard robotë humanoide .
Qeveria kineze po i inkurajon ndërmarrjet kombëtare të zhvillojnë robotë të tillë, me shpresën për t’u bërë lider global në këtë industri.
Pekini priti lojërat e para botërore të robotëve humanoide në gusht, ku më shumë se 500 “atletë” garuan në një sërë aktivitetesh, të tilla si basketboll, vallëzim dhe madje edhe pastrim dhomash hotelesh.



